TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar sot apelimin për vendimin e Gjykatës së Tiranës të 7 shkurtit lidhur me shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011.
Lajmin e publikon Zeri i Amerikes, referuar burimeve brenda prokurorise. Sipas gjykatës, e cila pranonte se të paktën dy nga manifestuesit ishin qëlluar nga armët e përdorura nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria nuk kishte paraqitur provat që të vërtetonin se ata kishin qëlluar me dashje.
Por prokuoria vlerëson se Gjykata ka vepruar sipas saj “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente”.
Sipas prokurorisë, “Gjykata në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo”. Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Tiranës, në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, duke i deklaruar fajtorë për veprat penale që ata akuzuhen.(LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 16:01