Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 18:40

Prishtinë – Leme Xhema nuk është pa punë. Atë nuk po e gjen Interpoli, por e kanë gjetur mediet serbe. Telegrafi serb ka raportuar, duke cituar “Blicin”, se ish-drejtoresha e PTK-së, e dënuar për korrupsion në Kosovë, tash po punon si asistente e kryetarit të Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq.

Nga gushti i viti 2011 Policia e Kosovës ka lëshuar fletë-arrest për Leme Xhemën, i cili më vonë u publikua edhe në ueb faqen e Interpolit. Megjithatë, Xhema ende nuk është kapur, derisa mbi të rëndon dënimi me tre vjet burg për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Avokati i saj, derisa kishte folur për mediet kosovare për klienten e tij dhe ankesën kundër vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për këtë dënim, në Gjykatën Supreme, pati nxjerr edhe një “hile ligjore”. Ai kishte deklaruar se Xhema nëse nuk kapet brenda afatit sa është pesha e dënimit të saj, lënda mund t’i parashkruhet, raporton preportr.

Fillimisht, në vitin 2008, për shpërdorim të detyrës zyrtare, gjykata e gjeti fajtore Xhemën duke i shqiptuar një dënim prej 3 vjet heqje lirie. Me po të njëjtin dënim gjykata e shpalli fajtore të akuzuarën edhe në pikën e dytë të aktakuzës, hyrje në kontratë të dëmshme. Bashkë me të fajtor u shpall edhe Mustafa Neziri për fshehje të parave dhe është dënuar me 2 vjet burg. Përveç kësaj trupi gjykues ka urdhëruar të dy të akuzuarit që të paguajnë edhe një shumë prej 300 mijë eurosh për PTK-në.

Vendimi i trupit gjykues, që atëherë ishte vlerësuar jo i drejtë nga ana e avokatëve mbrojtës, që filluan procedurat e ankimimit, të cilat përfunduan në vitin 2011, kur Xhema  përfundimisht u dënua me 3 vjet heqje lirie, mirëpo shumë shpejt pas këtij vendimi ajo iku nga Kosova.

Çuditërisht, pasi ishte larguar nga PTK-ja dhe derisa po vazhdonin procedurat penale kundër saj, BQK-ja e kishte lejuar Xhemën që të punonte si zëvendës-drejtoreshë e kompanisë së sigurimeve “Croatia Sigurimi”. (K.N/LajmeShqip.com)