Prishtinë – Akademiku Rexhep Qosja e ka konsideruar vrasje të dytë vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për “21 Janarin”.
“Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist, i cili mendon, gjykon dhe burgos siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste,” shprehet Qosja.
Ai pohon se: “Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka adet t’i komentojë krimet e tij: Nuk i ka komentuar dhe nuk i komenton në asnjë fushë të jetës kombëtare”.
“Garda Kombëtare, tha ai, ka mbrojtur qeverinë! Qeverinë që s’e rrezikonte kush? E dëgjuat çka tha një gjykatës a avokat? Gjykata jonë, tha ai, mori vendim në nivelin e vendimeve për çështje të njëjta të gjykatave evropiane! Kjo mendje katërkëmbëshe gënjen poshtër. Gardistët evropianë nuk i vrasin protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth saj. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë. Mbas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarve për 21 janarin, kryeministri i vendit, njëkohësisht edhe kryetar i partisë në pushtet, (që pretendon të jetë serish në pushtet edhe pas 23 qershorit), doli në një konferencë për mediat, ku foli për arritjet në bujqësi e blegtori, duke refuzuar të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës,” deklaron Qosja.
Qosja i bën apel opozitës që “mospajtimin e saj me këtë krim të ri mund ta shprehë si duhet, përgjegjshëm, ngushëllueshëm për familjet e të vrarëve vetëm me demonstratë popullore. Mu aty, në atë shesh, ku janë vrarë ata”. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 February 2013 20:07