Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 12:25

TIRANË- Gjykata e Tiranës nëpërmjet një deklarate ka bërë me dije se vendimin e plotë për të pandehurit e 21 janarit do ta zbardhë brenda afateve ligjore.
Në këtë deklaratë gjyqtarët theksojnë se janë të vendosur për zbatimin e ligjit, ndërsa duke komentuar deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjyqtarët shprehen se ajo ishte një ndërhyrje në një proces të rregullt gjyqësor.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se cfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim. Në këtë kontekst deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt gjyqësor nëpërmjet komenteve mbi një cështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së procesit të rregullt ligjor me këtë cështje”, thuhet në deklaratë.

Sipas gjyqtarëve deklarata të tilla janë shqetësuese dhe paragjykuese.

“Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm. Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt, të paanshëm dhe të besueshëm ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur cdo qëndrim paragjykues ndaj këtij procesi dhe punës e misionit të gjykatës në përgjithësi”, përfundon deklarata.

ARVIZU: NDËRHYRJA PËR TË LEHTËSUAR HETIMI
Pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu në një prononcim për gazetarët, tha se takimi me të u zhvillua pikërisht pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për ngjarjet e 21 janarit.

“Para së gjithash e vlerësoj që Prokurori i Përgjithshëm vendosi të takohet me mua, e për më tepër kaq shpejt, patëm një takim të rëndësishëm, biseduam hollësisht për ngjarjet e 21 janarit e hetimet dhe morëm angazhimin se bashkëpunimi ynë me këtë zyrë do vazhdojë”, tha ai.
Arvizu u ndal të komentojë edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës, ndërsa nënvijëzoi se kjo nuk është një çështje amerikanë, por një çështje shqiptare dhe janë ata, sic tha ai që duhet ta cojnë deri në fund.

“Lidhur me vendimin e gjykatës, para së gjithash dua të them se SHBA e kanë bërë të qartë që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim për atë që e shkaktoi atë ngjarje. Kemi theksuar që ky lloj hetimi duhet të ishte i besueshëm, nevojitej që të adresoheshin disa elemente, se kush e organizoi sjelljen e demonstruesve dhe gardës në fund, ky ka qënë qëndrimi ynë dhe nuk ka ndryshuar”, tha Arvizu.

Ai tha më tej se, “Pika e dytë, ku dua të ndalem ka të bëjë me përfshirjen e ekspertëve amerikanë. Kjo cështje ka qenë dhe do jetë cështje shqiptare, nuk ka patur qytetarë amerikanë të përfshirë në ngjarje. Është kërkuar nga kryeprokurorja e atëhershme asistenca teknike amerikane, kjo është ajo që kemi bërë kemi dhënë cfarë na është kërkuar”, shtoi ai.

Ambasadori më tej, i cilësoi të pabaza akuzat e sotme të Gjykatës së Tiranës.

“Lidhur me deklaratën e Gjykatës së Tiranës, unë nuk bie dakord me ta se kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë buron drejtpërdrejt pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm. SHBA ka bërë ndërhyrje për të lehtësuar hetimin”, shtoi ai më tej.

DEKLARATA E SHBA, DJE
Ambasada Amerikane nëpërmjet një reagimi e konsideroi tronditbs vendimin e Gjykatës së Tiranës për pafajësinë e të pandehurve të 21 janarit.
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 Janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”,- përfundon deklarata.

Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume si dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Teksa lexoi vendimin për të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandatin e Gardës Ndrea Prendi.

Prokuroria kërkoi kërkoi 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe 25 vjet burg për ish-gardistin Agim Llupo, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.

AMBASADORI ARVIZU TAKON KRYEPROKURORIN LLALLA
Ambasadori amerikan ne vendin tonë, Aleksander Arvizu ka nisur sot paradite një takim me kryeprokurorin e vendit, Adriatik Llalla.

Takimi është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe vjen vetëm një ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës, e cila u dha pafajësi dy të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit gjatë demonstratës së PS-së.

Takimi vjen një ditë pas reagimit të ashpër që bëri ambasada e SHBA mbi vendimin dhënë dje për 21 Janarin.(LajmeShqip.com)