PRISHTINE – Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, i kishte ftuar të mërkurën mbrëma në zyrën e saj në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së për t’u takuar për herë të parë në histori presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikolic, por organizatori kishte bërë çmos që publiku të mos ketë as pamje nga takimi, përveç një fotografie të cilën e dërguan me postën elektronike nga zyra e saj.
Më vonë u mësua se Jahjaga dhe Nikolic para nisjes së takimit, në hyrje të zyrës ku ai zhvillohej, i kishin shtrënguar duart, ndërsa në takim secili kishte folur në gjuhën e tij, Jahjaga në shqip dhe Nikolic në serbisht, me përkthim në anglisht, shkruan sot Koha Ditore.
Takimi dukej i të njëjtit format sikur ai i kryeministrave Thaçi dhe Daqiç, por ishte e qartë se kësaj radhe kishte më shumë simbolikë sesa përmbajtje. Madje takimi përfundoi pak më herët sesa pritej dhe kishte zgjatur më pak se një orë. Dhe pas tij u pa se palët mbeten shumë larg në qëndrimet e tyre parimore, ndërsa ky takim vetëm i konfirmoi ato.(LajmeShqip.com)
Thursday, 07 February 2013 13:21