Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 16:19

Prishtinë –  Liderët e partive politike janë marrë vesh që në zgjedhjet e ardhshme të garohet me një njësi zgjedhore në Kosovë, duke mos ndryshuar asgjë nga praktikat e deritashme, raporton ktv-ja.

Kjo ka ndodhur pas takimit të ftuar nga kryeministri Thaçi me liderët e partive politike, në të cilin kanë marrë pjesë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kryetari i AKR-së, Bexhet Pacolli, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim dhe kryetari i Partisë Turke të Kosovës, Mahir Jagxhillar. Në këtë takim nuk është parë lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kryeministri i vendit nuk u kishte dërguar atyre fare ftesë.
“Është një pajtueshmëri e përbashkët që vendi duhet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një zonë të përbashkët zgjedhore dhe procesi duhet të përshpejtohet, në mënyrë që edhe komisioni t’i kryejë punët për reformën elektorale dhe ka mbetur të diskutohet edhe procesi i listave nëse duhet të jenë të hapura apo të mbyllura”, ka thënë pas takimit kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Ndërkaq, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se pasi të diskutojnë brenda partisë, do të vendosin për reformën e listave, në mënyrë që të vijnë në përfundim se ç‘është më parimore dhe më demokratike, që zgjedhjet të jenë fer dhe korrekte.

Kurse, lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli, e ka përshëndetur marrëveshjen dhe, sipas tij, kjo ka qenë më se e nevojshme.(KTV/LajmeShqip.com)