Tirane – Marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP do të nënshkruhet në 13 shkurt, në Athinë.
Lajmi bëhet i ditur pas takimit që ministri i Jashtëm grek Avramopulos zhvilloi sot në Mynih me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammantiarof.
Greqia, Italia dhe Shqipëria do ta nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e tubacionit Transadriatic (TAP) më 13 shkurt, në Athinë dhe në ceremoninë e nënshkrimit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit.
Sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, të cilave iu referohen mediat greke, mbrëmë zoti Avramopulos ka pasur biseda telefonike me homologun e tij italian, Giulio Terzi dhe atë të Shqipërisë, Edmond Panariti për të përcaktuar detajet, ndërkohë që diskutimet do të vazhdojnë mes tre vendeve për tekstin e Marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ndodhet në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë, ku ka patur kontakte dypalëshe me homologë dhe liderë nga e gjithë bota.
Gazsjellësi TAP
Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP-së do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Aksionerët e TAP janë EGL zvicerane me 42,5%, Statoil norvegjeze me 42,5% dhe E.ON Rurgas gjermane me%. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, “Enel”.
TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse në rreth 6 vjet pritet të sigurojë gaz nga Kaspiku në Evropë, duke bërë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.(LajmeShqip.com)
Saturday, 02 February 2013 16:15