Lajme Shqip Friday, 18 January 2013 17:03

TIRANE – Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit të përkohshëm mes Qeverisë Shqiptare dhe Konsorciumit të TAP, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans- Adriatic Pipeline. Edmond Haxhinasto, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njëherazi dhe Zv/Kryeministër i vendit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u shpreh i sigurt për suksesin e projektit TAP. 

Sipas Haxhinastos, “kjo marrëveshje do të jetë një shtysë e rëndësishme sa i takon vendimit, që do të merret nga konsorciumi i Shah Deniz në Azerbajxhan, ku do të shpallet projketin fitues, që do të përçoj gazin natyror nga deti Kaspik në Europë. Duke folur për avantazhet që do të sjell ky projekt, Haxhinasto në vend të parë renditi Zhvillimin Ekonomik të vendit, duke nënvizuar se “zbatimi i TAP do ta rris ndjeshëm fuqin energjitike të vendit tonë. TAP do të uli kostotot energjisë si dhe do të jetë bazë thelbësore për punësimin e qytetarëve shqiptar”, ndërsa mbylli fjalën duke shtuar se “TAP do ti japi një impakt të jashtë-zakonshëm jo vetëm në shqipëri, por në të gjithë rajonin”. 

Kompania Trans Adriatic TAP AG u përfaqësua në këtë marrëveshje nga Drejtori i Përgjithshëm, Kjetil Tungland. “jemi shumë krenar për këtë marrëveshje, pasi është dëshmi e vendosshmërisë që vendi juaj ka karshi këtij projekti”, theksoi ai. 

Tunglan gjithashtu theksoi se “Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati kryesor në rrugën që projekti TAP po ndjek për të arritur suksesin në konsorciumin e SHAH Deniz. Ai siguroi se, “ky projekt jo vetëm që do të ofroj punësim, por është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe standartet europiane, lidhur me sigurinë e komunitetit dhe mbrojtjen e mjedisit”, përfundoi Drejtori i kompanisë TAP AG, Kejtil Tungland.

Në kuadër të projektit për gazsjellësin “Trans Adriatic Pipeline”, Ministria e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto firmosi nënshkroi sot edhe marrëveshjen me kompaninë gjermane të energjisë “E-ON Ruhrgas” (aksioner në projektin TAP), për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror.
Ministri Haxhinasto deklaroi se bashkëpunimi me kompaninë gjermane është me rëndësi për garantimin e sasive të nevojshme të gazit. Kreu i METE-s theksoi se projekti i gazsjellësit TAP është i një rëndësie strategjike për vendin tonë, rajonin, por edhe për Europën.

“Sot konkludojmë një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për garantimin e sasive të gazit me një nga kompanitë më të mëdha në Europë. Projekti TAP mbi të gjitha krijon mundësi reale për zhvillimin e tregu të gazit në Shqipëri dhe sjell një zhvillim më të shpejtë për të gjithë vendin. Prandaj shpreh edhe njëherë vlerësimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Kemi folur me drejtuesit e kompanisë “E-ON Ruhrgas” edhe për mundësitë e investimeve të tjera në Shqipëri.”- deklaroi Haxhinasto.

Edhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane “E-ON Ruhrgas” e vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar si mjaft të rëndësishme për të dyja palët.

“Kjo kontrate është shumë e rëndësishme, sepse ka lidhje me projektin TAP. Jemi shumë mirënjohës dhe shumë të kënaqur sepse po marrim pjesë në politikat e zhvillimit të Shqipërisë. Marrëveshja që firmosëm do të jetë përfituese për të dyja palët.”- u shpreh përfaqësuesi i “E-ON Ruhrgas”.

Tre ditë më parë, në kuadër të projektit TAP (Trans Adriatic Pipeline), ministri Haxhinasto nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për furnizimin me gaz me kompaninë zvicerane ‘Axpo Trading Ag’.

Projekti për gazsjellësin TAP vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit për vendin tonë dhe gjithë rajonin.(LajmeShqip.com)