Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 12:04

GREQI – Presidenti i Greqisë, Karalos Papulias në letrën përshëndetëse drejtuar OMONIA-s, me rastin e 22-vjetorit të themelimit të organizatës së minoritetit grek në Shqipëri, ka shprehur hapur krenarinë e tij për helenizmin e trojeve që i cilëson si vorio-epirote.

“Prania shekullore e helenizmit vorio-epiriot në shtëpitë stërgjyshore, është gjithmonë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë grekët, sidomos në një kohë kur atdheu, por edhe rajoni më gjerë, përballet me një numër të madh sfidash”, – shkruan në mesazhin e tij presidenti grek. Ai i bënë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve që të mblidhen rreth OMONIA-s dhe të punojnë për kauzën e përbashkët. “Me rastin e këtij përvjetori, dua t’ju bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë që të mblidhen rreth OMONIA-s dhe të punojnë për kauzën e përbashkët. Unë shpresoj që në të njëjtën kohë dhe OMONIA të marrë të gjitha ato nisma të cilat do të tregojnë se nga lufta e përbashkët për të mbrojtur të drejtat e grekëve në Shqipëri nuk përjashtohet askush, pa ambicie personale dhe rivalitete”, – shkruan Papulias. 

DEPUTETI I SYRIZA 
Thirrje kundër nacionalizmit janë vërejtur gjatë ceremonisë festive të organizuar dy ditë më parë në fshatin Dervician me rastin e 22- vjetorit të themelimit të organizatës së minoritetit etnik grek, OMONIA. Të pranishëm kanë qënë përfaqësues të shtetit grek si deputeti i partisë “Nea Demokracia”, Stilos Jorgos, ambasadori grek në Tiranë Leonidhas Rokanas, kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo etj. Në fjalën e rastit, deputeti i SYRIZA-s, partisë kryesore të opozitës greke, Kostandinos Barkas ka dënuar deklaratën e Berishës lidhur me shtrirjen e shtetit shqiptar prej Prevezës. “Ne jemi vende fqinje dhe kemi zakone e karakteristika të njëjta por thirrje të tilla partia jonë i dënon. Madje po të njëjtat mendime ndan me ne edhe eurodeputeti grek Hondis i cili i ka dënuar këto thirrje në raportin zyrtar të paraqitur në Komisionin Europian lidhur me statusin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këto thirrje duhet të dënohen edhe nga BE”, – deklaroi mes të tjerash Barkas.(LajmeShqip.com)