Prishtinë – Pas deklarimit të Qeverisë së Shqipërisë, edhe Qeveria e Kosovës njofton opinionin se do të kërkojë hetimin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte. Në komunikatën për opinion, thuhet se Qeveria e Kosovës, ndonëse gjithmonë me besimin e plotë në pafajësinë e z. Ramush Haradinaj, në luftën e pastër të UÇK-së, por edhe të gjykuarve të tjerë të këtij Tribunali – akuzat e pabazuara ndaj z. Fatmir Limaj dhe pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, të gjithë të shpallur të pafajshëm, ka qenë gjithnjë mbështetëse e fuqishme dhe bashkëpunëtore e punës së këtij Tribunali.
“Kjo është bërë pikërisht për të vërtetuar për të shumtën herë, nga instanca më e lartë, që këta persona dhe kjo luftë kanë qenë gjithnjë të pastër dhe në përputhje me të gjitha ligjet e luftës.
Qeveria ndan mendimin që kjo tolerancë është abuzuar nga ish-kryeprokurorja del Ponte, e cila edhe tani ka pranuar publikisht që akuza e ngritur kundër Haradinajt ishte e pambështetur me prova që mund të çonin në dënimin e tij.
Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet kompetente ndërkombëtare që të fillohen hetime kundër znj. Carla del Ponte për keqpërdorimin e autoritetit të saj si Kryeprokurore në rastin Haradinaj, rastin Limaj e tjerë në vitin 2003 dhe lidhur me fabrikimet fantastiko-shkencore të Carla del Pontes lidhur me akuzat e Dick Martyt e më gjerë.
Duke i njohur autorizimet dhe privilegjet e saj ligjore, Qeveria ndan mendimin se këto autorizime dhe privilegje janë tejkaluar dhe keqpërdorur deri në atë masë sa ka lejuar ngritjen e aktakuzave krejtësisht të pabaza, tendencioze e të kundërligjshme, duke çuar kështu në burgosjen dhe njollosjen e karaktereve të shumë figurave të çmuara politike të Republikës së Kosovës, si dhe duke demantuar imazhin e shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehë indinjatën e saj sidomos pas deklaratave të prokurorëve të tjerë të këtij Tribunali, të cilët vazhdimisht kishin shprehur mosbesimin e tyre në provat e ofruara nga znj. del Ponte, dhe veçanërisht në vetë deklaratat e saj të fundit, me të cilat ajo ka pranuar që aktakuza që kishte ngritur kishte mungesë provash e dëshmitarësh.
Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Tribunalit dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare dhe OKB-së që të fillojnë hetimin e veprimeve të saj të kundërligjshme, të cilat në çdo situatë do të arsyetonin zhveshjen e saj nga privilegjet që ajo do të gëzonte normalisht si Prokurore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 December 2012 09:35