Shkup – Në një letër drejtuar familjes Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tjerë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nënvizon: E nderuara familje Haradinaj, i nderuari Baca Hilmi, i nderuari Ramush, i nderuari Lahi Brahimaj, Idriz Balaj.
Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë neve tek Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe në emrin tim personal, si mik i familjëve tuaja, të shpreh uratat më të sinqerta për lirimin përfundimtar të Ramush Haradinajt dhe të Lahi Brahimajt.
100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe të ditës së flamurit kombëtar si dhe liria dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të ishin të plota pa lirinë e çlirimtare dhe pa ruajtjen dhe respektin maksimal ndaj vlerave të ushtrive tona çlirimtare të fundshekullit të kaluar. Ne luftuam bashkë për të arritur pavarësinë e Kosovës dhe sot, në këtë 100 vjetor të bekuar, kjo pavarësi po merr formën e plotë, me ngadhnjimin e luftës sonë çlirimtare.
Lufta jonë e drejtë nuk kishte se si mos të ngadhnjejë edhe para ligjit ndërkombëtar sepse ne kërkuam lirinë dhe demokracinë në vendin tonë, në tokat tona duke mos cënuar të drejtat e të tjerëve.
Sot, Kosovës po i vendoset edhe një themel i fuqishëm i shtetësisë duke ngadhnjyer në një proces të gjatë dhe të vështirë të drejtësisë ndërkombëtare. Këto fitore duhet të na shërbejnë si nxitje për ta bërë Kosovën dhe rajonin më të mirë dhe unë jam i bindur se bashkarisht do ta shpiejmë rajonin përpara, pa kufij dhe plotësisht të integruar në NATO dhe BE.(LajmeShqip.com)
Thursday, 29 November 2012 19:01