Tetovë – Në sheshin qendror të Tetovës sonte u shpalos portreti gjigant i figurës emblematike të PDSH-së, ish-liderit dhe themeluesit Arbër Xhaferi.
Shpalosja e kësaj fotografie gjigante u bë nga lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinaj dhe deputeti i AAK-së, kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, por edhe qytetarë nga Tetova dhe trevat e tjera.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta tha në fjalën e tij se e ardhmja e shqiptarëve konsiston në bashkimin dhe mirëqenien e tyre.
“100 vitet e ardhshme do të jenë vitet e bashkimit të shqiptarëve. 100 vitet që vijnë do të jenë vitet e lulëzimit të kombit shqiptar”, deklaroi Meta.
Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj deklaroi se pa Tetovë nuk ka Shqipëri. Ai me këtë rast ka uruar gjithë shqiptarët me rastin e festës së 100 vjetorit.
“Falë sakrificës shekullore, sot Kosova është shtet dhe shqiptarët në Maqedoni janë të lirë dhe faktor paqeje. “Kjo ditë na bënë të ndjehemi krenarë për gjithë mundin dhe gjakun e derdhur ndër breza, pa të cilën shqiptarët nuk do të ishin të lirë”, deklaroi Haradinaj në akademinë e organizuar me moton “100 vjet pa Shqipërinë”.
Mijëra qytetarë sot në Tetovë kanë shënuar dhe festuar 100 vjetorin e pavarësisë, nën organizimin e komunës e Tetovës. Në mbrëmje u mbajt edhe koncerti masiv me yjet e estradës shqiptare. (INA)
Sunday, 25 November 2012 08:40