Tetovë – Në Qendrën e Kulturës sonte me rastin e ditës së alfabetit shqip dhe 100 vjetorit të pavarësisë, Qendra e Kulturës në bashkëorganizim me Shoqatën e Pedagogëve shqiptarë të Maqedonisë, Universitetin Shtetëror të Tetovës, Bibliotekën e qytetit, shoqatave joqeveritare dhe individëve do të organizojë një manifestim madhështor.
Siç theksoi drejtori i Qendrës së Kulturës Haki Fazliu, janë paraparë më shumë aktivitete duke filluar me ekspozitën në të cilën do të paraqiten 100 fjalëkryqe nga autori Mensur Mamuti, do të ketë 100 fotografi të rralla që i ka siguruar Biblioteka e Qytetit, ekspozitë kolektive me piktura, grafika, skulptura dhe teknika të tjera. Më tej, në kuadër të bibliotekës së qytetit do të promovohet edhe edicioni special i tre vëllimeve”.
Sipas drejtorit të Qendrës së Kulturës, Haki Fazliu, pjesa tjetër do të vazhdojë në sallën e madhe ku Kryetari i Shoqatës së pedagogëve shqiptarë të Maqedonisë, Fadil Lushi, do të mbajë një referat kushtuar Kongresit të Manastirit, gjithashtu do të ketë edhe një recital për gjuhën shqipe, do të ndahen mirënjohje për autorët e abetareve në Maqedoni.
Fazliu në fund nënvizoi se për herë të parë do të jepet edhe kantata kushtuar Kongresit të Manastirit, që realizohet me ndihmë financiare të Ministrisë së Kulturës, interpretohet me forcat tona shqiptare.
Drejtori artistik i Qendrës së Kulturës, Artan Arsllani duke detajuar këtë program theksoi se në pjesën e ekspozitës përveç fjalëkryqeve dhe ekspozitës kolektive të akademikëve, profesorëve dhe studentëve të dalluar të pikturës, do të ekspozohen edhe 100 fotografi të rralla të siguruar nga Biblioteka e Qytetit, ku shumica prej tyre për herë të parë do të paraqiten para publikut shqiptar gjithandej.
“Biblioteka e qytetit në bashkëpunim me Institutin për Studime Evropiane i Universitetit të Tiranës dhe Qendrën për marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime ballkanike në Maqedoni do të promovojnë tre libra kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë”, shtoi Arsllani.
Gjithnjë sipas tij, në vijim Shoqata e pedagogëve shqiptarë të Maqedonisë do të ketë referat kushtuar ditës së alfabetit dhe kryetari do të ndajë mirënjohje për botuesit e abetares në Maqedoni.
Ajo çka vlen të theksohet, nënvizoi drejtori artistik i Qendrës së Kulturës Artan Arsllani, është kantata kushtuar Kongresit të Manastirit, e cila është e pesta e këtij lloji në trevat shqiptare, ndërsa e para në Maqedoni kushtuar alfabetit shqip, respektivisht Kongresit të Manastirit.
Ai tha se për këtë kantatë u hap edhe konkurs, ndërsa për herë të parë do të shfaqet dhe interpretohet më 22 nëntor nga Orkestra e Qendrës së Kulturës, orkestra dhe kori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke marrë edhe forca nga Filharmonia e Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës.
I pyetur për financimin e këtyre aktiviteteve, Arsllani theksoi se institucionet në fjalë kanë gjetur forma të ndryshme për të realizuar këtë aktivitet. Qendra e Kulturës dhe Biblioteka e Qytetit një pjesë vetëfinancojnë dhe një pjesë e kanë nga Ministria e Kulturës, ndërkaq Shoqata e pedagogëve shqiptar të Maqedonisë me mjete të veta dhe donatorë të ndryshëm, sikur edhe USHT që ndihmon në ekip, ndërkaq autori i fjalëkryqeve vetë ka përgatitur tabllotë ku do të mbushen fjalëkryqet nga vetë qytetarët.(LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 12:48