Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 17:39

TIRANË- CEZ Shpërndarje ka deklaruar sot se do të ndjekë penalisht gjithë ata punonjës të policisë që kanë ndërhyrë për rikthimin e energjisë, pas stakimit të saj nga CEZ si ndeshkim ndaj ujesjellësve debitorë.

Në një deklaratë për mediat, Joroslav Macek, drejtori i përgjithshëm i CEZ Albania ka theksuar se gjatë ditës së djeshme punonjësit e CEZ janë penguar në mënyrë arbitrare nga policia në disa qytete.

“Ata janë kërcënuar se duhet të lidhnin energjinë dhe në disa raste janë shoqëruar në komisariat dhe disa janë arrestuar në kundërshtim të plotë me ligjin. Ata kanë vepruar në përputhje me detyrimet për debitorët. Duam të theksojmë se kompania mbështet punonjësit e ndaluar arbitrarisht dhe familjarët e tyre.  CEZ u bën thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të ndalojnë veprimet e tyre arbitrare”-tha ai.

Sipas tij, ndaj tyre CEZ do të ndërmarrë padi penale për shpërdorim detyre dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla i cili i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, që të japë urdhër për lirimin e punonjësve të CEZ-it.
“Do ngremë padi publike për Ministrin e Brendshëm. Paralajmërojmë protesta nëse nuk lirohen punëtorët CEZ-it.”- tha Nikolla, duke thene se protestat do te nisin diten e hene para ministrise se Brendshme dhe selise se BE ne Tirane.(LajmeShqip.com)