Tiranë – Një ministër i qeverisë greke të Andonis Samaras nuk do guxonte t’i jepte dorën një deputeti të “Agimit të Artë”. Partia neo-naziste greke, që aktualisht ka 21 vende në Parlament, i ka shpallur ata armiq, duke paralajmëruar madje se në rast të ardhjes në pushtet, do t’i nxjerrë para një gjykate të posaçme për t’i burgosur e shpronësuar, raporton Gazeta Shqiptare.
Ndryshe ndodh me ministrat e qeverisë shqiptare. Në 28 tetor 2012, në kishën e Bularatit, Spiro Ksera, anëtari i kabinetit Berisha, jo vetëm ka shtrënguar dorën me një nga deputetët e “Agimit të Artë”, por ka zhvilluar me të edhe një takim të gjatë. Ka qenë pikërisht Kristo Papas, ligjvënësi neo-nazist më energjik, që publikisht i ka kërcënuar me jetë emigrantët shqiptarë dhe që mbi varrin e të ndjerit Aristotel Guma është betuar për çlirimin e Vorio-Epirit, siç e cilëson ai Jugun e Shqipërisë.
Takimi Ksera-Papas regjistrohet si skandali më i rëndë i një zyrtari të lartë të qeverisë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.(G.Sh/LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 11:38