Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 10:53

TIRANË– Parlamenti pritet të mblidhet sot në një seancë e konsideruar si vendimtare për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Por, në deklaratat e bëra një ditë më parë krerët e dy forcave kryesore politike në vend, duket se janë shumë larg konsensusit, për shkak të mos arritjes së një marrëveshjeje për cështjen e Qarkut të Fierit.

Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj negativisht ftesës së bërë nga kryesocialisti Rama, për të diskutuar në një tryeze të përbashkët këtë cështje. Sipas kreut të qeverisë partitë nuk mund të diskutojnë mbi vendimet e gjykatave. Por, për kryesocialistin Rama cështja e Fierit është dëshmi e mosrespektimit të shtetit të së drejtës dhe për këtë arsye sipas tij është e pakuptimtë që Parlamenti të miratojë ligje që ngelen vetëm në letër.

Ndërkaq, edhe apelet e ndërkombëtarëve u intensifikuan ditën e djeshme, me qëllim arritjen e konsensusit politik mes palëve. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vuri sërish theksin te nevoja e komunimimit mes aktorëve politik, ndërsa perifrazoi deklarimet e sekretares Clinton. Ai deklaroi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq kritik, ndërsa nxiti palët të vijojnë me axhendën e reformave. Edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi theksoi se koha në dispozicion mbetet e shkurtër duke nënvizuar se nuk mjafton që palët të deklarojnë se janë pro integrimit porse ato duhet të lëvizin e të ecin përpara në këtë proces. 

KUSHTET E BE
Reforma parlamentare, ajo nësistemin e drejtësisë e administratën publike janë tri kushtet e KE për zyrtarizimin e statusit të vendit kandidat.(LajmeShqip.com)