Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:51

Vjenë – Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, festave dhe gëzimeve u shtohet edhe  një lajm i mirë. Sipas ekspertëve austriakë, në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit, bën pjesë edhe romani i Ismail Kadaresë “Prilli i Thyer”.

Ekspertët austriakë, me kryeredaktoren e Bibliotekës Nacionale, Johanna Rachinger, për çdo javë japin sqarime për veprën dhe autorin e njërit prej tyre, ku mes “Ujkut të Stepës” të Herman Heses, “100 vjet vetmi” të Gabriel Markezit, “Plakut dhe Detit” të Ernest Heminguejit, spikat edhe vepra e Kadaresë, njofton Fitim Dika.

Në shpjegimin që i bëhet autorit dhe veprës, theksohet jeta kulturore e shqiptare e veriut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, si dhe forca stilistike e autorit për ta shfaqur këtë zakon të vjetër në një vepër.
Po ashtu theksohet se vepra që e bëri autorin të famshëm është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por romani më i mirë i tij mbetet pa diskutim “Prilli i Thyer”. Gjithashtu, vihet në pah se edhe pas rënies së diktaturës  dhe në vitet e fundit, shkrimtari shqiptar ka shkruar romane me vlerë, mes të cilëve vlerësohet sidomos “Aksidenti”. 

Ajo që nxjerrim nga kjo është interesante se disa shkrimtarë që kanë marrë Çmimin Nobel për letërsi nuk gjenden në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit. (LajmeShqip.com)