Lajme Shqip Tuesday, 30 October 2012 09:22

Kufizimi i shpenzimeve në disa ministri nga Qeveria e Kosovës doli të jetë i suksesshëm në relaksimin e raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në shqyrtimin e dytë të marrëveshjes Stand-by me Kosovën, zyrtarët e FMN-së

konstatuan se politikat makroekonomike dhe financiare të udhëhequra nga Qeveria e Kosovës janë në rrugën e duhur. Si rezultat në fund të këtij viti Kosova tërheq nga ky institucion financiar rreth 41 milionë euro. Megjithatë, zyrtaret e Fondit kërkuan nga Qeveria që edhe më tej të ketë menaxhim të disiplinuar fiskal.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së për Kosovë, Johannes Wiegand, ka pohuar se Kosova nuk është në rrezik nga kriza financiare. Sipas tij, Kosova sikurse të gjitha vendet në njëfarë mase është e ndikuar nga kriza në Evropë, por është e ndikuar më pak dhe investimet nga jashtë dhe remitencat e diasporës e ndihmojnë Kosovën, për faktin se diaspora e Kosovës jeton në vendet ku janë më pak të prekura nga kriza.

“Natyrisht se synimi i programit është që Kosova t’i bëjë ballë turbulencave. Gjëja e parë është që të ketë një kornizë të qëndrueshme buxhetore dhe një komponentë e rëndësishme është që të ketë një bilanc bankar të qëndrueshëm për shkak se ky është një lloj lehtësuesi që amortizon tronditjet eventuale në zonën e euros dhe qëllimi i programit ka qenë të arrihet një niveli adekuat i bilancit bankar”, ka thënë Wiegand.

Në të njëjtën kohë, Qeveri e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt të hënën ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2013 në shumë prej 1.586 miliardë euro dhe të njëjtin do ta procedojë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se në kuadër të buxhetit 2013 është autostrada Prishtinë-Shkup, duke arritur të ndahet një shumë e mjeteve për këtë projekt.

Saktësisht për autostradën e dytë janë ndarë gjithsej 30 milionë euro.

Sipas tij, buxheti i këtij viti pritet të ekzekutohet në masën 95 për qind, ndërkaq buxheti i vitit 2013 thotë se është në harmoni të plotë me FMN-në.

“Është vlerësim se politikat makroekonomike janë gjerësisht në rrugën e duhur. Përveç rishikimit të dytë të marrëveshjes ‘Stand By’, e cila pastaj pritet të miratohet në bordin e FMN-së dhe shpresojmë të aprovohet me datën 21 dhjetor, kur pritet marrja e 41 milionë (euro) për buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ndërkaq, në deklaratën e lëshuar nga FMN-ja thuhet se të gjitha kriteret e parapara deri në fund të muajit gusht janë plotësuar, me një rënie modeste në mbledhjen e të ardhurave e cila është kompensuar nga kufizimi i shpenzimeve. Për më tepër, të ardhurat totale buxhetore thuhet se i kanë tejkaluar parashikimet.

“Në fund të gushtit është përmbushur edhe afati për nisjen e tenderit për hapjen e ofertës për kompaninë e telekomunikacionit PTK, edhe pse me një vonesë të vogël.

Autoritetet dhe misionit ranë dakord mbi kornizat e buxhetit 2013, dhe arritën mirëkuptim në parametrat e një kornize të bazuar në rregulla fiskale të mbështetura nga politikat fiskale të vitit 2014”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Stafi i FMN-së ka vlerësuar se rritja reale do të kalojë 3 për qind në të dy vitet, si në vitin 2012 dhe atë 2013, e cila është më e lartë se në shumicën e vendeve fqinje.

Zyrtarët qeveritarë, ndërkaq, thonë se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm mund të arrijë në 4.5 për qind.

Sipas Fondit, sistemi bankar ka mbetur i mirëkapitalizuar dhe likuid, pavarësisht rritjes së kredive jo performuese. Gjithashtu, progres është bërë në forcimin e klimës së biznesit, përfshirë fushat e regjistrimit të biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve.

Megjithatë, misioni i Fondit vlerëson se mbeten rreziqe të ulta, përfshirë edhe një përkeqësim të mundshme në kushtet e tregut të punës në vendet ku jetojnë diaspora. Prandaj i rekomandohet Qeverisë të mbajë nivelë adekuat të bilanceve bankare të qeverisë, forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për sistemin financiar të Kosovës, mbikëqyrjen e kujdesshme financiare nga Banka Qendrore, si dhe reformat strukturore për të rritur konkurrencën. (Gazeta Express)