Lajme Shqip Monday, 29 October 2012 14:54

TIRANË- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, është takuar paraditen e sotme, në ambientet e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba. Zgjedhjet e 2013-ës ishin temë e këtij takimi, ndërkohë që OSBE ka apeluar më parë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

 

Në një prononcim për mediat, pas takimit Wollfarth apeloi që është shumë e rëndësishme të mbahet një frymë bashkëpunimi teknik, ndërkohë që shprehu besimin që ekzistojnë përbërësit për zgjedhje të mira.“Në fakt është shumë e rëndësishme për zgjedhjet e 2013 të ekzistojë një frymë e mirë e bashkëpunimi teknik. Pas këtij takimi jam i bindur se ekzistojnë inkredientët më të mirë që ata të japin zgjedhjet më të mira të mundshme vendit. Pritet të vijnë vëszhguesit nga ODIHR për zgjedhjet e 2013-ës, dhe sëbashku me prezencën e OSBE-së janë disa projekte duke u diskutuar. Në fakt kjo mbëshetja për KQZ-në përban edhe elementët e ndihmës, teknike. Sic thashë jam i bindur se do ketë pregatitje shumë të mira dhe mendoj se elementi më i mirë është fryma e bashkëpunimit dhe unë mendoj se është”,- deklaroi Wollfarth.

 

Ky është takimi i parë që ambasadori Wollfarth zhvillon me krerët e këtij institucioni pasi Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës në seancën plenare të 11 tetorit kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) Lefterie Lleshin.

 

Kryeprokurori i ri
I pyetur rreth debatit më të fundit për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, ambasadori i OSBE-së tha se duhet gjetur një figurë e paanshme. “Kryeprokurori i ri duhet të jetë një personalitet i kualifikuar, i paanshëm dhe neutral. Le të shohim diskutimet që po vazhdojnë dhe mënyra si do të interpretohet Kushtetuta për këtë. Kam besim se do të gjendet një zgjidhje e mirë. Por, ajo që është më e rëndësishme është gjetja e një personaliteti të kualifikuar që do ta bënte punën e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë neutrale dhe të paanshme”,- theksoi Wollfarth.

 

Ambasadori i OSBE, duke u përfshirë në debatin për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, deklaroi pak kohë më parë se momenti më i përshtatshëm për zgjedhjen e pasardhësit të Ina Ramës është maji i vitit 2013-të. Ndërkohë, që i ka kujtuar njëherazi klasës politike shqiptare që këtë çështje të mos e përdorë në fushatën elektorale të 2013-ës.(LajmeShqip.com)