Lajme Shqip Thursday, 25 October 2012 19:18

Uashington – Departamenti amerikan i shtetit përmes një komunikate njofton se sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Klinton do të udhëtojë për në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci, nga data 29 tetor deri më 2 nëntor.

Sekretarja e shtetit do të udhëtojë në Ballkan për të dëshmuar edhe një herë interesimin, përkushtimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë rajon dhe të ardhmen e tij në integrimet evropiane dhe euro-atlantike.

Në Bosnjë, Serbi dhe Kosovë Klinton do të shoqërohet nga baronesha Kethrin Eshton, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë.

Në Prishtinë dhe Beograd, Klinton dhe Eshton do të flasin për çështje të bashkëpunimit bilateral dhe do ta përsërisin qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së që Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avansojnë në dialogun e tyre, si dhe do t’i inkurajojnë palët në marrjen e hapave konkret që do t’u mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në Tiranë, Klinton do të mbajë fjalim në Parlamentin shqiptar, në seancën solemne për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa temat e paralajmëruara për bisedime në Kroaci janë roli i Kroacisë si anëtare e NATO-s, hyrja e planifikuar në BE në vitin 2013 dhe situata ekonomike në Kroaci.(LajmeShqip.com)