Londër- Kryeministri britanik Dejvid Kameron paralajmëroi se Britania e Madhe do t’i vendos veto buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, nëse Komisioni Evropian nuk i ul shpenzimet për administratë në Bruksel.
Në një deklaratë për mediat londineze pas përfundimit të Samitit të BE-së, kryeministri britanik tha se kërkoi nga Brukseli që t’ua zvogëlojë pagat e rreth 4.000 funksionarëve në Komisionin Evropian, që tani në vit marrin nga 100.000 euro.
Sipas Kameron, në kushtet e tanishme të krizës ekonomike dhe stagnimit në mbarë BE-në, është koha që BE-ja seriozisht të merret me “shpenzimin e madh në Komisionin Evropian dhe me shpërndarjen e parave”.
Kryeministri britanik tha se kërkon nga KE-ja masa të ashpra për kursim dhe për uljen e shpenzimeve për 16 për qind të administratës së Brukselit e cila “merr pagë të madhe për punën e saj”.
Reagimi i Kameronit vjen pas propozim-buxhetit të BE-së për shtatë vitet e ardhshme për të cilin Komisioni Evropian kërkon rritje. Kjo do të thotë se vetëm Britania e Madhe në arkën e përbashkët evropiane do të duhet të paguajë 12 miliardë euro shtesë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 October 2012 10:00