Filipine – Udhëheqësit e grupit më të madh kryengritës mysliman në Filipine janë nisur të dielën në udhëtimin e tyre të parë zyrtar në kryeqytet, në Manilë, për nënshkrimin e një pakti paraprak paqeje, që synon përfundimin e kryengritjes që ka zgjatur me dekada.
Murad Ebrahim, kryetar i Frontit Islamik për Çlirimin e Moros(MILF), do t’i udhëheqë komandantët e lartë në pallatin presidencial për nënshkrimin e marrëveshjes.
Marrëveshja u ndërmjetësua nga Malajzia.
Pakti i shpallur nga presidenti Benigno Aquino III në javën e kaluar, bën thirrje për themelimin e një rajoni autonom të ri në ishullin jugor të Mindanaos, me emrin Bangsamoro, apo kombi mysliman, më 2016.
Marrëveshja është përshëndetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe avokatët e paqes në Filipine si një hap kyç drejt dhënies fund të konfliktit, që ka vrarë më shumë se 100 mijë njerëz që nga viti 1970. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 October 2012 15:30