Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 16:22

Prishtinë –Policia e Kosovës ka penguar studentët e Lëvizjes studentore Studim, Kritikë, Veprim, gjatë një aksioni simbolik para Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke arrestuar katërmbëdhjetë prej tyre.

Ndërkohë, sipas informacioneve, ata janë duke u mbajtur në polici dhe janë duke u intervistuar.

Aktivistët e lëvizjes studentore Studim, Kritikë, Veprim, kanë vendosur në muret e këtij stacioni policor një pamflet ku thuhej se “ligji mbi arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, neni 13 pika 4 thotë se në lista e bartësve të arsimit të lartë gëzon paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç në rastet e përcaktuara ndryshe me ligjet e veçanta”.

Me këtë aksion, aktivistët e kësaj lëvizjeje kanë dashur ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj ndërhyrjes së organeve të rendit në hapësirat e institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë, siç ishte rasti i ndërhyrjes së djeshme gjatë protestës së drejtuesve dhe studentëve të Parlamentit të Studentëve në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.(LajmeShqip.com)