TIRANE – Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana nga sot është anëtare e rrjetit të qyteteve më të mëdha europiane, EUROCITIES Pjesë e këtij grupimi janë qeveritë e zgjedhura vendore të qyteteve më të mëdha evropiane.
EUROCITIES synon të formëzojë mendimin e aktorëve të Brukselit dhe të zhvendosë fokusin e legjislacionit të Bashkimit Evropian, në mënyrë që t’u jepet mundësi qeverisjeve lokale të këtyre qyteteve, të trajtojnë sfidat strategjike, në nivel lokal. Duke u bazuar në tre sfidat kyçe të BE-së, prioritetet e politikave kanë të bëjnë me klimën, ekonominë dhe gjithëpërfshirjen e komunitetit.
Në njoftimin e Bashkisë së Tiranës thuhet se EUROCITIES ka ndikim dhe punon me institucionet e Bashkimit Evropian, me qëllim për të qenë sa më afër dhe për t’iu përgjigjur çështjeve që prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Objektivi i saj është forcimi i rolit që qeverisja lokale duhet të luajë në nivelet e strukturave qeveritare.
EUROCITIES u themelua në vitin 1986 dhe sot kanë aderuar në të, më shumë se 140 qytete të mëdha, nga më shumë se 30 vende europiane. Me anë të forumeve tematike, një game të gjerë të grupeve të punës, projekteve, aktiviteteve dhe eventeve, u ofrohet anëtarëve një platformë për ndarjen e njohurive dhe shkëmbimin e eksperiencave.(LajmeShqip.com)
Monday, 01 October 2012 19:55