Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 11:25

Prishtinë – Procesi i afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian do të jetë i mundur me fusnotë, meqë, sipas ekspertëve në Bruksel, një paraqitje e tillë e vendit nuk është si e një shteti të pavarur. Kështu konkludon një dokument-analizë e ekspertëve ligjorë të Këshillit Evropian.

Këshilli Evropian po e shqyrton mundësinë që pas studimit të fizibilitetit Kosovës t`i mundësojë nisjen e negociatave për stabilizim-asociim, si dhe futjen e Kosovës edhe në disa programe të tjera, nga të cilat përfitojnë shtetet që janë kandidate potenciale. Por Kosova, e prezantuar si “Kosovo*”, nuk do të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian si shtet, meqë pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.

“Koha Ditore” ka arritur që të sigurojë analizën që Zyra Legale e Këshillit Evropian ka përgatitur për 27 vendet anëtare të BE-së, në të cilën shpjegohet se çdo nënshkrim i BE-së me Kosovën që prezantohet me fusnotë sipas konkluzës së arritur në dialogun teknik me Serbinë nuk paraqet njohje të shtetit të Kosovës e as njohje nga shtetet veç e veç, nëse nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sipas këtij opinioni ligjor të ekspertëve të BE-së, edhe nëse nisin negociatat për stabilizim-asociim me Kosovën, duke mos paragjykuar kështu nisjen e tyre dhe as nënshkrimin, shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë nevojë të shqetësohen, sepse dhënia e një pëlqimi të tillë nga Këshilli Evropian nuk nënkupton njohje të pavarësisë së Kosovës.(LajmeShqip.com)