Prishtinë – Në Maqedoni dhe Kosovë sot ka nisur viti i ri shkollor 2012/2013. Maqedonia numëron mbi 220 mijë nxënës në 457 shkolla, ndërsa Kosova me 460 mijë nxënës në mbi 1 mijë shkolla.
Rreth 200 mijë nxënës ndjekin mësimin në shkollat fillore në Maqedoni, prej të cilëve këtë vit janë regjistruar mbi 20 mijë filloristë. Në shkollat e mesme këtë vit janë regjistruar mbi 20 mijë semimaturantë, në dy afatet regjistruese, duke mos përfshirë afatin përfundimtar të këtij fillim-muaji. Numri më i madh i semimaturantëve janë regjistruar në shkollat profesionale edhe ate mbi 11 mijë nxënës, pjesa tjetër në gjimnaze.
Në Maqedoni ka 457 shkolla, prej të cilave 358 janë fillore dhe 99 publike të mesme. Edhe në Kosovë sot gjithashtu ka nisur sot viti i ri shkollor 2012/2013. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e mbarë të vitit.
Mësimet në shkollat fillore dhe të mesdme do t’i ndjekin 460 mijë nxënës në mbi 1 mijë objekte shkollore. Kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u ka shprehur nxënësve urimet më të mira për një vit të mbarë dhe të suksesshëm. “Qeveria e Republikës së Kosovës gjithnjë i ka kushtuar rëndësi të madhe sistemit të arsimit, ngritjes së cilësisë së edukimit dhe përmirësimit të kushteve të punës, si për personelin arsimor ashtu edhe për nxënësit” , ka theksuar ai.
Sipas Thaçit, Qeveria e Kosovës vazhdon ta ketë prioritet modernizimin e edukimit, si njërin nga kushtet themelore për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë. Sipas Ministrisë së Arsimit, mbi 36 mijë nxënës janë regjistruar në klasën e parë. Ata do të mësojnë nga abetarja e unifikuar.
E veçanta e këtij viti të ri shkollor sivjet është se për herë të parë nxënësit e klasës së parë në Kosovë e Shqipëri do të mësojnë nga e njëjta abetare. Tashmë është kthyer në traditë që për filloristët të jenë falas edhe tekstet shkollore(LajmeShqip.com)
Monday, 03 September 2012 13:19