Prishtinë – Azem Syla nuk sqaron arsyet e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Komisionit për Verifikimin e Veteranëve, Invalidëve dhe Dëshmorëve të UÇK-së. Qeveria nuk është në dijeni për dorëheqjen e tij.
Ndërkohë për këtë dorëheqje nuk janë njoftuar zyrtarisht as anëtarët e tjetër të komisionit. Azem Syla, i njohur si komandat Daja, u emërua në janarin e këtij viti në krye të Komisionit Shtetëror për Verifikimin e Veteranëve, Invalidëve dhe Dëshmorëve të UÇK-së.
E për këto 7 muaj ai mblodhi vetëm një herë komisionin, edhe atë në një takim njohës. E pas krejt kësaj ai thotë të jetë dorëhequr nga komisioni. I kontaktuar nga KTV-ja, Azem Syla nuk ka folur për shkaqet e dorëheqjes, madje ai as nuk e ka pranuar e as mohuar një gjë të tillë.
Por, dorëheqja e tij nuk gjendet askund në Qeverinë e Kosovës. Për të nuk është i njoftuar as numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, e as sekretari Fitim Krasniqi.
Nëpërmjet telefonit, Krasniqi i ka thënë KTV-së se në zyrën e tij nuk ka mbërritur asnjë letër dorëheqje nga Azem Syla. “Nëse një veprim i tillë do të ndodhte, atëherë sekretari i Qeverisë do të duhej të ishte personi i parë që do të informohej”, ka thënë Krasniqi.
E për lajmin e dorëheqjes së Sylës nga kreu i Komisionit Shtetëror për Verifikimin e Veteranëve, Invalidëve dhe Dëshmorëve të UÇK-së nuk janë në dijeni as anëtarët e komisionit, që janë 16.
Muharrem Xhemajli është njëri ndër ta. Ai madje shprehet i befasuar me lajmin për dorëheqjen e tij. Xhemajli në një intervistë dhënë KTV-së kohë më parë kishte drejtuar akuza direkte ndaj komandant Dajës, duke e quajtur fajtor për faktin se nuk dihet ende se kush është veteran e kush është gënjeshtar.
Tash ai thotë se nuk do të ketë durim të gjatë ndaj kësaj neglizhence për nisjen e punës së komisionit. Ndërsa ka deklaruar se shpreson se me apo pa Azem Sylën, komisioni të nisë punën në shtator.
Mosfunksionalizimi i komisionit për seleksionimin e veteranëve ka lënë peng edhe zgjidhjen e çështjes së statusit të veteranëve. Pasi që Qeveria dhe Organizatat e Veteranëve ishin dakorduar që të amandamentohej ligji i vlerave të luftës dhe pjesë e tij të bëheshin sërish edhe çlirimtarët pasi të dihej numri i saktë i tyre. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 July 2012 21:08