Korçë – Pas skandalit të vjedhjes së pikturave në Galerinë e Arteve ”Guri Madhi” në Korcë gjykata e këtij qyteti ka dhënë masat e sigurisë për 2 prej të akuzuarve kryesorë. 
Trupi gjykues ka vendosur sot të lërë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, Vladimir Topin si edhe ish përgjegjësin e galerisë shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërkaq po sot, policia konfirmoi se vetëm 27 punimet e piktorit të Popullit “Vangjush Mio” janë vepra arti. Blutë e qytetit juglindor, bëjnë të ditur se konstatimi është bërë nga dy ekspertët e artit Roland Karanxha dhe Vangjo Vasili, të cilët kanë verifikuar teknikisht pikturat në bazë të kartelave përkatëse dhe kanë dalë në përfundimin se vetëm punimet e Mios janë vepra arti, ndërsa veprat e piktorëve Shijakut, Tushit etj, janë punime të thjeshta dhe nuk i përkasin kësaj kategorie, përpos faktit se janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve. Gjithashtu mësohet se pritet një tjetër verifikim i tyre, por këtë herë nga specialistë të Ministrisë së Kulturës. 
Ndërkaq hetimet për zbardhjen e skandalit të vjedhjes së veprave të artit nga Galeria e arteve “Guri Madhi” në Korçë vijojnë intensivisht në dy pista atë të “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës” ku për këtë të fundit policia disponon prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ndërsa është duke hasur vështirësi për të vërtetuar akuzën e “vjedhjes”. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 July 2012 10:29