Prishtinë -Misioni i OSBE-së në Kosovë bën thirrje për përmirësime në regjistrimin civil të komuniteteve të cenueshme.
“Komunitetet e cenueshme në Kosovë përballen me vështirësi në regjistrimin civil, gjë që vazhdon të pengojë përfshirjen e tyre në shoqëri”, thuhet në një raport të OSBE-së, i publikuar sot. Sipas raportit, ndërsa institucionet e Kosovës në vitet e fundit kanë përmirësuar kornizën ligjore dhe kanë rritur numrin e zyrave të regjistrimit civil gjatë periudhës raportuese, financimi, resurset logjistike dhe njerëzore jo adekuate të alokuara në këto zyra e kufizojnë funksionimin e mirëfilltë të mekanizmit. Barrierat gjuhësore dhe mungesa e udhëzimeve rreth dokumenteve të kërkuara për regjistrimin civil paraqesin pengesa shtesë.
“Nëpërmjet regjistrimit civil, një person identifikohet dhe njihet si pjesë e shoqërisë dhe është në gjendje të ushtrojë të drejtat e veta dhe të ketë qasje në arsim, shëndetësi dhe punësim”, tha ambasadori Werner Almhofer, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Është shumë e rëndësishme që secilit individ t’i garantohet qasja në regjistrim civil”, shtoi ai.
Për ta përmirësuar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, raporti i OSBE-ë u rekomandon institucioneve të Kosovës që të alokojnë resurse adekuate në zyrat e regjistrimit civil, shtrirje te komunitetet e cenueshme, dhe që të sigurojnë tarifa të regjistrimit të përballueshme me kriteret e vendosura qartë. Institucionet gjithashtu inkurajohen që të fillojnë praktikën e shpalljes së një muaji gjatë vitit për regjistrim pa pagesë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 14:18