Prishtinë (PLOTESUAR 24 Korrik, 15:30)- Presidentja e Republikës së Kosova, Atifete Jahjaga u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.
Me te mbërritur ne Prishtine, Ban Ki-Moon kërkoi vazhdimin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kam sjellë mesazhin e njëjtë për liderët e Kosovës, për popullin e Kosovës, të cilët kanë vuajtur nga konflikti dhe të cilët janë të etur për një të ardhme të qetë. Në veçanti, pres përpjekje serioze drejt normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, duke përfshirë edhe përkushtimin e njëjtë serioz dhe te sinqertë për dialog për të cilin kam kërkuar nga liderët serbë. Gjithashtu, ju bëjë thirrje të gjitha palëve të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur. Kjo është një çështje fundamentale e të drejtave të njeriut, çelësi i pajtimit dhe respektit të ndërsjellë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Ban ka thënë se pret të diskutojë me partneret tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë KFOR-in, EULEX-in dhe OSBE-në, që në rajon të mbretërojë paqja. Sipas tij, Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për të arritur qëllimet e përbashkëta për popullin e Kosovës. Ban Ki-Moon më pas ka vazhduar rrugën për në Manastirin e Decanit, atë të Pejës dhe në Prizren. (LajmeShqip.com)
**************************************************
Prishtinë – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Ban Ki-mun, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet një dialogu paqësor.
Këto komente zoti Ban i ka bërë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.
Ai ka nënvizuar se duhet ndërmarrë hapa për arritjen e një respekti të ndërsjellë në rajon, duke e vlerësuar një gjë të këtillë si shumë të rëndësishme.
Sekretari i përgjithshëm ka ftuar të gjitha palët gjithashtu që të intensifikojnë punën e tyre në çështjen e personave të zhdukur, ndërkaq ka nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm.
Zoti Ban ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.
Zoti Ban takohet me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, dhe natyrisht me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Në orët e pasdites ai pritet të vizitojë edhe manastirin e Deçanit dhe të Prizrenit, për t’i dhënë kështu fund vizitës në Kosovë dhe për të vazhduar tutje për në Maqedoni.
Duke qenë se deri më tash gjatë turneut të tij ballkanik, zoti Ban ka qenë fjalëpak, edhe vlerësimet dhe pritjet nga kjo vizitë kanë qenë relativisht të kufizuara. Kjo mbase ka lënë hapësirë edhe për interpretime nga më të ndryshmet për analistët dhe komentatorët e mediave.
Në rastin e Kosovës, disa nga njohësit e rrethanave politike pohojnë se vizita e tij është më shumë simbolike dhe rrjedhimisht, nuk mund të pritet ndonjë risi nga kjo vizitë. Kjo, sipas tyre, për faktin se edhe vetë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka një rol simbolik, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Megjithatë, ka edhe komente që flasin se zoti Ban mund të ketë ngritur çështjen e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë se ishte pikërisht një rezolutë e miratuar në shtator të 2010-ës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë mbështetje Bashkimit Evropian të ndërmjetësojë në bisedimet midis të dyja vendeve.
Në cilindo rast, posti që zoti Ban mban si sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, megjithatë i jep kësaj vizite një rëndësi të veçantë, gjykuar edhe nga numri i jashtëzakonshëm i mediave që po ndjekin çdo hap të sekretarit të përgjithshëm.
VV: UNMIK, UN FAIR
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot rreth orës 11:00, shkruan parullën UNFAIR në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut në zonën industriale në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë.
“Me të filluar shkrimin e parullës, pa kurrfarë paralajmërimi dhe me gjithë faktin që dukej qartë që aktivistët thjeshtë do të shkruajnë një parullë, policët e Kosovës intervenuan në mënyrë të shfrenuar ndaj aktivistëve. Ata hodhën spray lotsjellës në mënyrë të pakontrolluar, goditën aktivistët me grushta dhe ofendonin pandërprerë”, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosjes. Sipas saj, edhe pasi aktivistët e shkruan parullën,
policia insistonte në të njëjtën mënyrë t’i arrestonte ata.
“Gjatë këtij intervenimi, shumica e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u lënduan nga sprey lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi e përplasën për tokë duke ia lënduar kokën”, thuhet në komunikatë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 12:15