Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, nuk e ka përjashtuar opsionin e luftës, për ta kthyer Kosovën, nëse, siç u ka thënë ai medieve serbe, “imponohet një gjë e tillë nga Prishtina dhe kryeministri, Hashim Thaçi”.
“Nëse ndokush e sulmon dhunshëm veriun e Kosovës, duhet ta ketë parasysh, se edhe Serbia mund ta ndjek të njëjtën rrugë, për ta kthyer Kosovën. Pra, kush është ai që në një rast e justifikon forcën e në tjetrin jo?”, është shprehur Nikolliq, duke u përgjigjur në një pyetje të
një gazetari serb, se si do të reagonte si komandant i Ushtrisë së Serbisë, nëse Hashim Thaçi ndërmerr ndonjë hap të dhunshëm kundër serbëve në veri.
“Qytetërimi bashkëkohor nuk është mirë që të jetë indiferent ndaj dhunës që ushtrohet mbi serbët në veri të Kosovës. I kam bindur të gjithë faktorët e bashkësisë ndërkombëtare, me të cilët kam biseduar, se kjo do të ishte e pakuptimtë. Këtë Serbia nuk mund ta durojë, ngase OKB nuk e kanë dërguar KFOR-in në Kosovë që të pushtojë territore”, tha kryetari i Serbisë.
Por, Nikolliq përkujtoi, se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet të tubohen të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në Serbi, në mënyrë që përfundimisht të hartohet një platformë e mbështetur në Kushtetutë dhe në interesat e qytetarëve, duke insistuar që në negociata të përfshihen edhe Kombet e Bashkuara.
“Deri më tani të gjitha negociatat ngjanin sikur Serbia po shkon në Bruksel që të pajtohet me diçka dhe që mos ta parashtrojë asnjë kërkesë të veten, dhe duket sikur të gjitha çështjet kishin dy palë që i kundërviheshin asaj serbe. Pikërisht për këtë duhet të sigurohet prania e Kombeve të Bashkuara në raundin e ardhshëm të bisedimeve”, tha Nikolliq.
Në pyetjen se a ka plan konkret për Kosovën kur po bën thirrje për tubimin e të gjithë faktorëve relevantë, kryetari serb u përgjigj: “Sa herë që dikush të vërsulet ndaj nesh dhe të bëjë trysni, ne nuk do të lejojmë që shteti i vetëshpallur i Kosovës të bëhet anëtar i OKB. Kjo është arma jonë më e fuqishme. Nëse për këtë arrijmë që ta bindim Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare e sidomos ata që po bëjnë presion ndaj nesh, atëherë bisedimet do të zhvillohen më lehtë”.
Kryetari i Serbisë tha se është i gatshëm që të propozojë një zgjidhje, e cila tashmë ka gjetur zbatim edhe në vendet tjera, siç është statusi i gjermanëve në Belgjikë dhe në Tirolin Jugor. “Pra, ka zgjidhje që edhe mund ta ruajë sovranitetin e Serbisë e edhe t’i kënaqë shqiptarët”, përfundoi Nikolliq. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 15:59