Lajme Shqip Wednesday, 18 July 2012 15:06

Tiranë – Ministri Imami menjëherë pas raportimit në Komisionin e Sigurisë ka deklaruar për mediat se ai i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të socialistëve, ndërkohë që do vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen.

Ai tha më tej se çështja e kontrollit në MM është çështje e parlamentit. “Duhet të ketë një plan konkret kontrolli,edhe kryeministri kur vjen për kontroll e ka këtë plan. Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Në lidhje me akuzat e ngritura nga opozita për trafik armësh, Imami deklaroi edhe njëherë se Ministria e Mbrojtjes shet armë, por nuk trafikon.

“Nuk ka trafik, unë i raportoj Kuvendit çdo tre muaj për të gjitha shitjet me detaje, i raportoj edhe kryeministrit. Shitja e armatimeve nuk është trafik, është e domosdoshme, ose do ti shesim ose do harxhojmë për t’i shkatërruar me kosto më të lartë”, tha ai më tej. 

Imami u ndal të komentojë edhe çështjen e përgjimeve. Ai tha se “Unë jam i interesuar të ngrihet një komision i mbështetur në ligj dhe të hetojë. Ne punojmë kundër terrorizmit. Jemi pjesë e NATO-s. Nuk kemi kapacitetet të përgjojmë zyrtarët e diplomatët”, shtoi ai. (LajmeShqip.com)