Prishtinë – Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale ende nuk ka marrë ndonjë vendim për largimin nga tregu të produkteve mjekësore të kompanisë farmaceutike të Serbisë, Hemofarm.
Produktet e kompanisë farmaceutike serbe Hemofarm, për shkaqe dokumentacioni jo të rregullt, që nga janari i këtij viti janë ndaluar të importohen në Kosovë. Prandaj, përfaqësues të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale nuk shohin ndonjë rrezik tani për tani nga ilaçet e kësaj kompanie. Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj Agjencie, Ilir Dushi në një konferencë për media, tha se janë marrë të gjitha masat e duhur për ta pasur situatën nën kontroll.
“Masa e parë është që të vazhdohet bllokimi i importit të kompanisë deri në momentin që të sqarohet gjendja. Masa e dytë është që t`ju rekomandohet të gjithë qarkulluesve si me shumicë ashtu edhe me pakicë që të kenë kujdes më produktet e kompanisë dhe të raportojnë për ndonjë problem që shfaqet nga ana e produktit”.
Dushi tha Kosova është i vetmi vend
në rajon që ka reaguar rreth këtij problemi duke shtuar se presin vendimin e Agjencisë Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe dhe nëse ata vërtetojnë se prodhimet e tilla janë të dëmshme atëherë do të ndalohet rreptësishtë. Agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe FDA, në një raport të saj, thotë se ka zbuluar në bimët e kompanisë Hemofarm, baktere që shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 15:45