Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar deklaroi se, vendimi i PS-së për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë është i qartë dhe i palëkundur.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i PS-së akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se ka urdhëruar blerjen e një pajisjeje për përgjimin e kundërshtarëve të qeverisë.
“Blerja e pajisjes është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Ky skandal i jep këtij shteti përmasën që në fakt ka kohë që e ka, përmasën e një shteti policor që vjedh vota dhe pasuri publike”, tha ai.
Në këto kushte, sipas Ramës, nuk mund të lejohet që çështja e kufizimit të imunitetit të kthehet në kufizim lirie. “Para se të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës për imunitetin, kryeministri duhet të bëjë transparencë për përgjimin e opozitës nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ministri duhet të verë në dispozicion për të gjithë publikun dhe deputetët e opozitës dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit”, deklaroi Rama.
Më tej, ai nënvizoi qëndrimin e opozitës pro heqjes së imunitetit, duke ripërsëritur se nuk mund të miratojë asnjë “arnim të nxituar të Kushtetutës”. Në deklaratën e sotme për mediat, Rama vlerësoi dhe konsensusin për reformën zgjedhore, duke deklaruar se “zgjedhjet nuk i fiton kodi zgjedhor, por ato fitohen në fushën e betejës elektorale”.
Ai tha se, PS që në fillim është shprehur për rishikim të sistemit në kodin zgjedhor, por pa e kushtëzuar me procesin e rishikimit të kodit zgjedhor. “Është koha për të arsyetuar bashkë me aleatët tanë për një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive për të dalë në një koalicion të plotë”, u shpreh Rama.
Kryeministria: Rama se voton, do te bllokoje statusin
Kryeministri Berisha i bën sërish thirrje Partisë Socialiste dhe veçanërisht liderit të saj Edi Rama të mos bllokojnë për të disatën herë votimin e amendamenteve për heqjen e imunitetit.
Nëpërmjet një konference shtypi, zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli deklaroi se me këtë veprim Rama po bllokon statusin kandidat për herë të tretë.
“Këto amendamente janë të standardeve më të larta, të hartuara nga ekspertët më të mirë të KiE. Por megjithatë Rama po i bllokon sërish, e bën këtë për të bllokuar statusin, dhunon ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, atë të integrimit europian”, tha ajo.
Në deklaratën e saj, Mëhilli shtoi se, “Kryeministri Berisha i bën thirrje zotit Rama të dëgjojë zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e këshillit të milionerëve në partinë e tij dhe të votojë heqjen e imunitetit”, deklaroi ajo. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 13:36