Prishtinë – Një kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës u nis sot drejt Holandës për marshin tradicional ushtarak nga 17-20 korrik në Nijmegen, ku marrin pjesë më shumë se dyzet shtete të NATO-s e të tjera, ndërsa vitin e kaluar ishin të parët.
Në këtë marsh tradicional, të 96-tin me radhë, do të jenë rreth 5000 ushtarë nga shtete të ndryshme, të cilët do të përshkojnë 160 kilometra, katër ditë nga 40 kilometra.
Në ceremoninë e organizuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati tha se pjesëtarët e kësaj force kosovare po marrin pjesë në trajnime, marshime, operacione edhe jashtë vendit, së bashku me ushtritë e vendeve të ndryshme të botës.
“FSK-ja ka dëshmuar se e meriton të rreshtohet krah për krah me ushtritë e vendeve të tjera”, theksoi ai. Gjeneral Kastrati vlerësoi sukseset, duke theksuar se, “vitin e kaluar njësiti i FSK-së në marshin në Holandë e ka zënë vendin e parë, gjithashtu në ushtrimet e mbajtura në Maqedoni, Turqi e Danimarkë ka treguar paraqitje të shkëlqyer”.
“Kjo është hera e dytë e FSK-së në marshin tradicional në Holandë, ku do të marrin pjesë më shumë se dyzet shtete të NATO-s dhe shtete tjera”, tha gjeneral Kastrati, duke u shprehur “plotësisht i bindur se ky kontingjent do ta përfaqësojë Kosovën dhe FSK-në në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Sipas tij, FSK-ja me paraqitjen e saj në shumë operacione, po tregon se është e gatshme që të marrë pjesë, krahas ushtrive të rajonit dhe shteteve të NATO-s, në operacione paqerujëtëse dhe humanitare në botë, nëse ftohet, nën ombrellën e NATO-s, Kombeve të Bashkuara apo edhe të Bashkimit Evropian. “Unë shpresoj se një ditë kështu do të rreshtohemi dhe do të zbarkojmë në misione jashtë vendit, në operacione që pjesëtarët e tanë të japin kontribut dhe të jenë eksportues të sigurisë”, theksoi gjeneral Kastrati.
Majori Ali Krasniqi, udhëheqës i njësisë, u shpreh i bindur se do të kthehen nga Holanda me medalje, sikur vitin e kaluar, sepse janë përgatitur me kohë, edhe duke iu përshtatur kushteve të ndryshme të motit dhe terrenit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 17:00