Prishtinë – Kuvendi i Kosovës ka degraduar dhe për këtë fajin e ka Qeveria. Këtë qëndrim në seancën e sotme ka mbajtur opozita, e cila ishte shumicë, për faktin se deputetët e koalicionit nuk ishin në sallë, duke pamundësuar votimin për mocionin lidhur me interpelancën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Opozita këmbënguli që seanca mos të vazhdojë pa u votuar ky mocion. Ndërkohë, debat i ashpër në pak minuta është zhvilluar mes deputetëve të opozitës dhe atyre pak deputetëve të koalicionit qeverisës Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri akuzoi PDK-në për papërgjegjësi duke sabotuar punën e Kuvendit.
Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se mungesa e deputetëve të koalicionit në seancë, është tregues i qartë i një interesi të thellë në çështjen e çimentos, për të cilin ministrja Kusari-Lila një ditë më parë u paraqit në interpelancë.
Me të njëjtin ton foli edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, duke thënë me ironi se Kuvendi më mirë po duket pa PDK-në. E ndërkohë Fatmir Limaj, njëri prej deputetëve të paktë të PDK-së të pranishëm në seancë, kursin e kritikave e ktheu edhe kah opozita, duke thënë se të gjithë janë fajtor për gjendjen në të cilën janë institucionet e Kosovës qe një vit e gjysmë.
Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, duke thënë se një bojkot i tillë nga pozita nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare, hodhi dyshime që Qeveria sot nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.
“Që nga dje, për mua politikisht kjo shumicë nuk është shumicë, sepse Qeveria e ka demonstruar me gjeste me veprime këtu që nuk e ka shumicën dhe le të dalë nesër pasnesër, kur të dojë, është e detyruar ta aprovojë a e ka shumicën parlamentare. Nëse e ka le ta provojë”, tha Hamiti.
Ndërkohë, këtë hapësirë të polemikave, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti e shfrytëzoi për një çështje tjetër. Mes përplasjes së grushtave në tavolina, Haliti shprehu shqetësimin për akuzat që i janë bërë atij vazhdimisht, siç tha ai, për vrasjen e Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit e Ali Ukës. Ai i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë të gjitha këto raste.
Ai tha se askush asnjëherë nuk do t’ia lëkund mendimin politik dhe miqësinë me Ibrahim Rugovën dhe Sabri Hamitin, përderisa shtoi se nëse vetëm në një rast do të ishte i përzier në të gjitha ato që janë shkruar në media për të, nuk do të ishte sot në Kuvendin e Kosovës. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 11:29