Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 08:50

Jackie Chan është një nga legjendat e filmave aksion, por jo pak i njohur edhe për shpirtin e tij për bamirësi. Ai ka dhuruar 158 mijë euro për fondin që po i vjen në ndihmë popullsisë në Tajlandë, të cilët u goditën nga përmbytjet në fund të vitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012.

Aktori i aksionit në Hollivud, që është edhe ambasador i vullnetarëve pranë UNICEF-it, me këtë rast ka vizituar jetimoret dhe azilet e të moshuarve që u goditën nga përmbytjet.

Aty Chan ka rrëfyer pakëz edhe nga jeta e tij në fëmijëri:

“Kur isha fëmijë, kaq sa ju, familja ime ka qenë shumë e varfër dhe unë jam rritur në varfëri ekstreme. Sot nuk jam më i varfër, sot i kam dalë zot jetës sime pas shumë mundimeve dhe pas një pune tepër të madhe. Por ama kam qenë një nga ju, njësoj si ju kam qëndruar, dhe me barkun bosh për disa ditë. Kjo më ka bërë të mendoj për njerëzit në nevojë tani që nuk më mungojnë paratë, sepse dikur ka pasur edhe nga ata që më kanë dhënë një ndihmë sado të vogël mua, por që në atë moment ishte shpëtimi im,” ka pohuar aktori i cili gjendej në Tajlandë.