Lajme Shqip Thursday, 12 July 2012 18:57

Prishtinë – Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 12 korrik 2012. Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Kryetar i Kuvendit të Kosovës:

Nga data 2 maj e deri me datën 10 qershor të vitit 1999 kam qenë i burgosur në burgun e Lypjanit. Në fakt, në burgun e Lypjanit, para se të burgosesha isha i zënë rob apo peng lufte. Ndërsa vetë burgu i Lypjanit ishte më shumë kamp përqendrimi sesa burg.

Ishim 13 shqiptarë të burgosur në një dhomë burgu ku nuk kishim as tualet e as ujë. Në hapësirën 4.15 metra gjatësi me 2.60 metra gjerësi, në katin e dytë të pavionit IV, kemi qëndruar 13 veta për 39 ditë. Në vend të tualetit kemi patur një kovë plastike ku të burgosurit villnin,  pas rrahjeve e torturave të përditshme. Ushqimin na e sillnin një ose dy herë në ditë, për 13 persona na jepin dy bukë dhe 2 cm supë, në fundin e një gote plastike. E megjithatë as këtë ushqim nuk arrinim dot ta hanim për shkak të keqtrajtimeve. Secili nga ne humbi nga 20 deri në 30 kilogramë gjatë atij muaji. Më së shumti na pihej ujë, jo sepse bënte vapë por për shkak të gjakderdhjes nga të rrahurat.

Një mbrëmje, dy gardianë erdhën dhe thirrën emrin tim. Dola, duke e ditur që do të më rrihnin, por u gëzova kur më thanë që të merrja dy bidonët nga dhoma ime. Pra, nuk do të më rrihnin, gjithashtu, bidonët do t’i mbushja me ujë dhe do t’i sillja në dhomë ku 12 të burgosur ishin tharë  nga etja. Mirëpo.. jo, sapo mbusha ujin, filluan të më rrihnin për orë të tëra e ndërsa uji në bidonë iu shërbente atyre që të ma hidhnin në fytyrë kur humbja ndjenjat.      

Disa prej këtyre gardianëve ua mbaj mend edhe emrat; Dragisha Ristiç, Mile Iviç dhe Jugoslav Simiç në Lypjan e Prishtinë, kurse më vonë, njësoj të tmerrshëm si këta ishin edhe Dragan Milanoviç, Dragan Shabiç, Kosigin Joliç dhe Igori që e quanin Gara, në Zabela të Pozharevcit.  

Në burgun e Lypjanit ishte edhe një gardian që të gjithë ne e mbajmë mend, sidomos une sepse më ka rrahur e torturuar. E mbaj mend mirë kur na thoshte: Cili prej jush do të vdesë sot, meqenëse numri 13 është numër fatkeq ? Ti Kurti,  këshilltari i Demaçit , apo ti Selim Loku, ushtari i UÇK-së nga Hani i Elezit ?. Emri i këtij gardiani është Zoran Koliç. Ai sot është në burg në Kosovë për krime lufte. Këtë e mësova nga letra që na ka ardhur në kuti, secilit prej neve deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga gruaja e Koliçit e cila kërkon që të lirohet Zoran Koliçi. Kushedi, ndoshta gruaja e Zoranit nuk e njeh mirë të kaluarën e burrit të saj. Kjo letër, që e keni secili prej jush, është arsyeja pse po flas sot këtu.

Janë bërë edhe protesta për lirimin e Zoran Koliçit. Është e çuditshme se si asnjë fotografi e Zoran Koliçit nuk shihet në ato protesta. Padyshim, se numri i të burgosurve shqiptarë që do ta njihnin atë do të ishte shumë i madh. (LajmeShqip.com)