Nju Jork – Konsumimi i tepruar i kripës për një periudhë të gjatë kohore mund të dëmtojë enët e gjakut, pohojnë shkencëtarët amerikanë nga universiteti i Harvardit. Në një hulumtim të realizuar prej tyre kanë marrë pjesë më shumë se 5.000 meshkuj dhe femra, të cilëve gjatë periudhës prej 6 vitesh, shkencëtarët u kanë matur nivelin e natriumit të urinës përmes testeve laboratorike.
Gjatë kësaj periudhe kohore shkencëtarët kanë zbuluar tensionin e lartë të gjakut tek 878 pjesëmarrës. Ata kanë konstatuar se personat të cilët janë diagnostikuar me tension të lartë të gjakut, kanë pasur nivel të tepruar të kripës në urinë, si dhe nivel të lartë të acidit urik dhe albuminave, të cilat janë tregues të dëmtimit të enëve të gjakut.
Pjesëmarrësit të cilët kanë konsumuar sasi më të madhe të kripës, kanë pasur 21 për qind rrezik më të lartë për të krijuar tension të lartë të gjakut, në dallim nga pjesëmarrësit me përqindje më të vogël të kripës.
Pjesëmarrësit me nivel të lartë të acidit të urinës kanë qenë të rrezikuar me 32 për qind nga formimi i tensionit të lartë të gjakut, ndërsa ata me nivel të lartë të albuminave kanë pasur 86 për qind rrezik më të lartë për të krijuar tension të lartë të gjakut.
Rezultatet e hulumtimit, të cilët janë publikuar në revistën “Circulation”, theksojnë rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm dhe konsumimit të moderuar të kripës.
Doza e rekomanduar ditore e kripës është rreth 6 gr, që do të thotë përafërsisht 1 lugë. Problemi më i madh është se kripa konsumohet edhe pavetëdijshëm, jo vetëm nëpërmjet ushqimeve të përgatitura, por edhe nëpërmjet ushqimeve të ndryshme të gatshme, si psh djathi, të cilat përmbajnë nivel të lartë të natriumit, gjë të cilën shpesh herë e harrojmë.
Thursday, 12 July 2012 10:00 