Lajme Shqip Wednesday, 11 July 2012 13:56

Prishtinë (PLOTESUAR 11 Korrik, 17: 20)- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë.

Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderoi NATO-n si dhe të gjitha shtetet anëtare të saj që kanë mbështetur dhe vazhdojnë t’a mbështesin Kosovën. Pas takimit bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Thaçi mori  pjesë në takimin e Këshillit Veri Atlantik të NATO-s, ku ishin të pranishëm të gjithë ambasadorët në NATO-së të shteteve anëtare.

Në keto takime kryeministri Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar që të jetë faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dhe këtë e ka dëshmuar edhe me bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me KFOR-in. Kryeministri, gjatë takimit me Këshillin e NATO-s, paraqiti kërkesat e Qeverisë së Kosovës, të cilat përfshijnë: Aprovimin e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së nga ana e këshillit Veri-Atlantik të NATO-s sa më shpejt; Vendosja e Raporteve Formale të partneritetit me NATO-n (anëtarësim në partneritet për paqe ; Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5; Mundësi dhe ftesë për pjesëmarrjen e njësiteve të FSK-së apo Policisë së Kosovës në operacione jashtë vendit të udhëhequra nga NATO, apo BE-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rassmussen, tha se NATO-ja është e përkushtuar të sigurojë një ambient të paqes, stabilitetit, dhe të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. “NATO, por edhe bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë që nuk ka ndarje të Kosovës, dhe çfarëdo zgjedhje që do të gjendet për veriun e Kosovës duhet të gjendet në mes të Prishtinës dhe banorëve serbë në veriun e Kosovës”, tha Rassmussen.

Kryeministri Thaçi i njohu anëtarët e Këshillit të NATO-s edhe me situatën në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si të tensionuar. “Ende kemi barrikada dhe liria e lëvizjes edhe për KFOR-in, EULEX-in, e edhe për qytetarët në veri është e cenuar. Kështu që mirëpresim që KFOR-i në Kosovë të jetë më i vendosur për të siguruar lëvizjen e lirë”, tha Thaçi.

Sekretari Rassmussen theksoi se e çmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komunitetit serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës, si dhe të gjithë hapat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës në atë drejtim. Gjithashtu edhe ambasadorët e vendeve anëtare përshëndetën progresin e arritur, dhe theksuan se do t’i ofrojnë mbështetje pa rezervë Qeverisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)

***********************************************

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen bashkë me një delegacion të Këshillit Veriatlantik po qëndrojnë sot për vizitë në Kosovë.

 Asnjë media nuk është lejuar të filmojnë as ardhjen e as t’i përcjellin takimet që do të mbahen me zyrtarët vendor dhe ndërkombëtar duke e bërë enigmatike vetë qellimin e vizitës. 

Pra, të gjitha takimet do të jenë të mbyllura për media, me përjashtim të konferencës për media të sekretarit të përgjithshëm Rasmusen dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Drevs, e cila është paralajmëruar të mbahet në orën 17:00. (LajmeShqip.com)