Beograd – Diplomati britanik Ivori Roberts ka deklaruar se mbajtja e një konference ndërkombëtare për ridefinimin e kufijve në Ballkan është e vetmja zgjidhje logjike për problemet e grumbulluar në këtë hapësira që historikisht deri më tani kanë qenë burim konfliktesh.
Një kongres i ri i Berlinit do ta stabilizonte rajonin në planin afatgjatë, ka deklaruar Ivori Roberts, president i Kolegjit Triniti të Oksforidt dhe ish ambasador britanik në Beograd.
Aktualisht ka thënë diplomati britanik, në rajon kemi një situatë ku të gjithë janë të pakënaqur: “Shqiptarët e Kosovës janë të pakënaqur, Serbia është e pakënaqur, Bosnjë e Hercegovina nuk funksionon si shtet, Maqedonia gjithashtu ka probleme”. Askush nuk e ka të qartë pse një populli i njihet e drejta për vetëvendosje e një popullit tjetër jo, ka thënë Roberts.
Ai në një intervistë për mediat serbe ka propozuar mbajtjen e një Konference të ndërkombëtare, e cila do të organizohej me mbështetjen, praninë dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Rusisë me përfaqësuesit e Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedonisë. Roberts ka pranuar se prapa idesë së tij nuk qëndron askush nga Londra zyrtare.
Sipas diplomati britanik “kongresi i dytë i Berlinit do të duhej të mbahej pas përgatitjeve serioze diplomatike, ndryshe nuk do të kishte kuptim mbajtja e tij, ndërsa ka shtuar se për një gjë të tillë terreni do të duhej të përgatitje përmes bisedimeve në prapaskenë, bisedime këto që do të duhej të mbaheshin larg syve dhe veshëve të opinionit publik.
Kongresi Berlinit 1878 dhe fati i popullit shqiptar
‘Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik.
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. 
Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë’. (marrë nga Wikipedia). (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 13:29