Lajme Shqip Tuesday, 10 July 2012 19:44

Prishtinë – Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar se diku rreth mesditës persona të panjohur tash për tash kanë shtënë në pjesëtarët e policisë së EULEX-it dhe të Kosovës në veri të Kosovës, afër malit Shatorica.

Hoti në një deklaratë për agjencinë serbe Tanjug, ka thënë se incidenti ka ndodhur te mali Shatorica, afër fshatit Borçane, në mesditë, por nuk ka pasur të plagosur as ndër pjesëtarët e EULEX-it as ndër Policinë e Kosovës, raportojnë mediat kosovare.

Persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të dy automjeteve të Policisë së EULEX-it dhe të dy automjeteve të Policisë së Kosovës nga Leposaviqi, tha Hoti, duke shtuar se nuk ka pasur dëme materiale. Ai supozon se kanë shtënë vjedhësit e pyjeve dhe se policia në Shatoricë ka konfiskuar një traktor, në të cilin janë gjetur një pushkë gjysmë automatike me 30 plumba. (LajmeShqip.com)