Lajme Shqip Tuesday, 10 July 2012 10:35

Tiranë – “Tirana Jazz & World Music Festival 2012” do të organizohet në datat 18-20 korrik, në hollin muzikor të hotel ‘Rogner’, por edhe me koncerte në Boom Boom Radio në Tiranë si dhe në Durrës e Shkodër. Në një kohë kur stina artistike në kryeqytet ka përfunduar dhe aktivitetet artistike janë të pakta, ky festival pritet të ‘thyejë’ këtë heshtje. Tetë grupet muzikore pjesëmarrëse prezantojnë larminë e tendencave jazz nga Europa dhe Ballkani.

Artistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë janë: Genti Rushi, Ermal Rodi dhe Ilir Kryekurti. Kjo trio është krijuar në vitin 2008. “Ouizzz” nga Zvicra është një trio instrumentale, e cila ka ndërtuar një reputacion të fortë për ngjizjen e kompozimeve të tyre origjinale xhaz me muzikën rock dhe electro për më shumë se një dekadë.
Nga Italia marrin pjesë “Collin Buis Italian Quartet” dhe nga Franca “Namouche Trio Jazz”, “Trio Vinorosso Jazz-standards Florian Stubenvoll”, nga Gjermania, “Ondrej Stveracek Trio”, nga Çekia. Banda “Trio of Love” nga Kosova përfaqësohet në festival nga Taulant Mehmeti (kitarë), Fatlind Ferati (bass) dhe Enes Bajramliq (bateri). Në këtë aktivitet spikat artistja surinameze Denis Jannah, që ka lënë gjurmë jo vetëm në skenën holandeze, por edhe në atë ndërkombëtare.

“Tirana Jazz & World Music Festival” është ideuar nga Besim Petrela si një përqasje e re për publikun artdashës. Festivali zhvillohet në datat 18, 19, 20 korrik në Hotel Rogner Europa Park, ora 20.00 dhe në datë 21-22 disa nga grupet do të performojnë në Durrës dhe Shkodër.

Festivali mbështetet financiarisht nga Bashkia e Tiranës, ambasadat e akredituara në Tiranë, pjesëmarrëse në festival me grupe të muzikës xhaz si: Austria, Çekia, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Zvicra dhe Kosova. (LajmeShqip.com)