Paris- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, kërkon sot njohjen e Kosovës nga Tunizia, Maroku, Egjipti dhe Libia. Në kuadër të Konferencës “Miqtë e Popullit të Sirisë” që është mbledhur në Paris, Hoxhaj ka zhvilluar takime të shumta me liderë të ndryshëm botëror.
Ministri Hoxhaj fillimisht është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohamed Kamel Amr. Me këtë rast Hoxhaj edhe njëherë ka kërkuar nga ministri egjiptian që shteti i tij sa më parë të njoh pavarësinë e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Marokut, Saad-Eddine El Othmani. Hoxhaj ia ka dorëzuar ministrit maroken kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës.
Ministri Saad-Eddine El Othmani është zotuar se kërkesa do të shqyrtohet nga institucionet më të larta shtetërore dhe në një periudhë të përshtatshme do të merret edhe vendimi për njohje.
Edhe në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, Rafik Abdessalem, Hoxhaj ka paraqitur kërkesën për njohje. “Populli i Kosovës ka mirëpritur ndryshimet demokratike në Tunizi dhe shtetet e tjera të botës arabe”, tha ai.
Gjatë kësaj konference, ministri Enver Hoxhaj ka takuar edhe përfaqësues të Libisë dhe shumë shteteve të tjera, në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve për Republikën e Kosovës. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 21:20