Tiranë – Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar shfaqi mbrëmjen e djeshme një koncert në Sarajevë, në kuadër të aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë, që po zhvillohen jashtë vendit.
Koncerti u mbajt në ambient të hapur, para bibliotekës kombëtare “Vjecnica” në prani të 1200 pjesëmarrësve. Ambasadori i Shqipërisë në Sarajevë, Flamur Gashi, tha në fillim të koncertit, në kuadër të aktiviteteve për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, se po ju ofrojmë një fotografi tjetër të Shqipërisë, fotografinë e Shqipërisë Europiane.
“Sonte, ky koncert është organizuar në kuadër të aktiviteteve që po zhvillon Ambasada e Shqipërisë në Sarajevë për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por besoj që së shpejti do të organizojmë një shfaqje tjetër të bukur artistike me rastin e ftesës që do të marrë Shqipëria për anëtarësim në Bashkimin Europian…”, tha Gashi, duke uruar që festa të jetë e shpejtë edhe për anëtarësimin e Bosnje dhe Hercegovinës në NATO dhe pastaj edhe në BE.
Koncerti u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë, në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar dhe Sarajevo Art si dhe Komunën Qytet i Vjetër Sarajevë. Shfaqja u transmetua drejtpërdrejtë nga TV Sarajevo dhe Televizioni shtetëror BHT1. Në të morën pjesë personalitete të larta shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës, përfaqësues të jetës kulturore të BeH, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, etj.
Para një viti e gjysmë, konkretisht me 2 shkurt 2011 në Sarajevë dhe më 6 shkurt 2011 në Tiranë, Ambasada e Shqipërisë në Sarajevë shfaqi një koncert madhështor me dy orkestrat e bashkuara në një trup të përbashkët orkestral, Orkestrës së Teatrit të Operas dhe të Baletit të Shqipërisë dhe Filarmonisë së Sarajevës për të festuar së bashku heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 16:21