Prishtinë – Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, reagon pas disa njoftimeve të lëshuara nga administrata e UNMIK-ut në veri, nëpërmjet të të cilave kërcënohen pronarët e shtëpive shqiptare në veri që t’i ndërpresin punët.
Ai e cilëson këtë si “një veprim të dëmshëm të kësaj administrate, që po vazhdon me politikën e saj diskriminuese për shqiptarët”, njofton zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës. Kryetari Kastrati kërkon nga ata që kanë mbetur në atë administratë që të mos përpiqen të pengojnë rindërtimin e shtëpive që kanë nisur në veri në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”, apo nga grantet qeveritare, pasi nuk do t’ia dalin.
“Kjo është tentativë për të penguar qytetarët që të rindërtojnë shtëpitë e tyre, të cilat janë të shkatërruara apo të djegura gjatë luftës. Në të njëjtën kohë kjo administratë ka lejuar dhe lejon që të ndërtohen ndërtesa kolektive nga Qeveria e Serbisë në pronat e blera prej shqiptarëve”, ka thënë ai. Kastrati thekson se qëndrimi i tillë i kësaj administrate në veri nuk është risi, meqë prej përfundimit të luftës është dëshmuar një politikë që ka rezultuar me spastrim etnik të shumë familjeve shqiptare. “Ata që bëjnë shkresa të tilla në emër të UNMIK-ut, duhet të jenë të vetëdijshëm se janë duke e cënuar rëndë kredibilitetin e OKB-së, meqë janë duke bërë një politikë tendencioze dhe të njëanshme deri në ekstrem”, shprehet ai.
Në këtë kontekst, ai shton se shtëpitë që janë duke u rindërtuar në veri nuk kanë për qëllim frikësimin e të tjerëve, por krijimin e kushteve për kthimin e atyre që janë pa strehë. “Në jug të Mitrovicës ende ekzistojnë katër strehimore kolektive. Ka qindra banorë të pastrehë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është shumë e rëndë. Ne nuk do të ndalemi para këtyre kërkesave absurde”, përfundon kryetari i komunës së Mitrovicës, Kastrati. Në veri të Mitrovicës fundjavën e kaluar është përuruar shtëpia e parë, ndërsa 10 janë në ndërtim në aksionin humanitar “Ndihmo edhe ti”, me qëllim rindërtimin e shtëpive të djegura e të shkatërruara gjatë luftës e pas saj, dhe kthimin e banorëve atje.
Në aksionin që do vazhdojë, më 8 qershor nisi rindërtimi i shtëpisë së parë me mbështetjen e siguruar në mbrëmjen humanitare “Ndihmo edhe ti” mbajtur në Prishtinë, ku për rindërtimin e shtëpive në veri ishin premtuar mbi 1 milion e 500 mijë euro, si dhe rindërtimi i afër 30 shtëpive e ndihma të tjera. Sipas autoriteteve të komunës, në veri të Mitrovicës gjatë viteve të fundit janë rindërtuar më shumë se 100 shtëpi me mbështetje të qeverisë së Republikës së Kosovës, por nevoja ende është e madhe, pasi janë edhe rreth 250 shtëpi që duhet të rindërtohen.
Në veriun e Mirovicës rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara gjatë luftës së përfunduar në qershorin e para 13 viteve, filloi në prill të vitit 2009, dhe u përball edhe me protesta të ekstremistëve serbë, të cilët kundërshtonin rindërtimin dhe kthimin e shqiptarëve në pronat që u kishin uzurpuar. Nga veriu i qytetit të ndarë të Mitrovicës, gjatë luftës dhe pas saj, janë dëbuar së paku 12 mijë shqiptarë. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 17:03