Prishtinë -Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim deputetët e Kuvendit të Kosovës që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Në një takim të përzemërt, Presidentja Jahjaga çmoi lart kontributin e deputetëve të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese, në një kohë shumë të rëndë, miratuan edhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, si dhe ndërmorën një varg veprimesh të tjera në funksion të organizimit të jetës institucionale të shqiptarëve në Kosovës, pas okupimit nga Serbia.
Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i këtyre deputetëve dhe zhvillimet e mëvonshme mundësuan organizimin e jetës në Kosovë, si dhe fitimin e përkrahjes ndërkombëtare, në të gjitha fazat, deri te lufta e armatosur e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë së vendit.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës, që shpallën Deklaratën Kushtetuese, 22 vjet më parë, e falënderuan Presidenten për takimin dhe për kujdesin ndaj tyre. Kosova kujton sot ngjarjen e rëndësishme të para 22 viteve në rrugën e saj drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë, shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 për pavarësi.
Delegatët e Kuvendit të Kosovës e shpallën dhe miratuan unanimisht Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 në gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, edhe si kundërpërgjigje e rrënimit kundërkushtetues e me forcë, me kushtetutën e tankeve serbe, të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991 dhe zgjedhjet e para parlamentare e prsidenciale të 24 majit 1992 të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, shenojnë kthesën historike në lëvizjen demokratike gjithëpopullore kosovare për liri e pavarësi, të viteve tetëdhjeta e të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, që kulmoi me luftën çlirimtare dhe fitoren. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 15:36