Lajme Shqip Sunday, 01 July 2012 12:45

Mitrovicë – Në kuadër të kremtimit të Vidovdanit, rreth 700 motoristë serbë nga Serbia, Republika serbe e Bosnjes, Rusia etj., kanë marrë pjesë të shtunën mbrëma në veri të Mitrovicës në një koncert të ashtuquajtur humanitar “Misioni bajk rok 2012”, ku kanë performuar rok grupe të ndryshme serbe nga Kosova dhe Serbia.

Burime nga veriu kanë bërë të ditur se në këtë koncert veç tjerash janë kënduar këngë shoveniste kundër shqiptarëve, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna të herë pas hershme armësh që kanë zgjatur deri në orët e mëngjesit, të cilat kanë shqetësuar tej mase banorët shqiptarë dhe ata jo serbë të veriut.

Sipas këtyre burimeve, motoristët me sirenat e motorëve dhe me tre gishta të ngritur, duke bartur flamuj të Serbisë dhe simbole tjera çetnike, kanë defiluar gjatë natës nëpër lagjet e veriut të Mitrovicës, duke përfshirë këtu edhe disa lagje të banuara me popullatë të përzier.

”Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me strukturat ilegale serbe kanë siguruar derivatet, si dhe ushqimin dhe fjetjen për 24 orë për të gjithë pjesëmarrësit e këtij koncerti ‘humanitar’”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur gjatë natës në veri të Mitrovicës, që dyshohet të ketë qenë granatë, ndërkohë që ka edhe të lënduar nga ana e motoristëve si pasojë e vozitjes së shpejtë dhe të pakontrolluar.

Të shtëna të herë pas hershme në veri të qytetit janë dëgjuar edhe gjatë kohës kur po raportojmë, ndërsa përkundër përpjekjeve të Kosovapress-it për të kontaktuar policinë rreth një qëndrimi zyrtar rreth kësaj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, në Mitrovicë vërehet prani më e shtuar se ditëve tjera e pjesëtarëve të policisë dhe forcave ndërkombëtare të KFOR-it dhe EULEX-it. (LajmeShqip.com)