Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 18:41

Graçanicë – Patriku serb Irinej ka deklaruar sot në Graçanicë se “Kosova është Jerusalemi serb”.

Deklarata është bërë gjatë mbajtjes së meshës me rastin e ditës së Vidovdanit, ku merrnin pjesë qindra serbë si dhe i ashtuquajturi sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri serbe për Kosovën Oliver Ivanovic dhe ambasadori rus në Beograd Aleksandër Konuzin, raporton Koha Ditore.

“Kemi ardhur këtu që me praninë tonë të tregojmë e të dëshmojmë se kjo ka qenë dhe do të do të mbetet tokë e shenjtë serbe-Jerusalemi serb. Kosovën e shenjtë nuk guxojmë ta humbim nga shikimi, se ka pasur shpërngulje e ikje nga mundimet, por populli është kthyer në shtëpitë e djegura e të shkatërruara, i ka rindërtuar ato dhe e ka e filluar jetën e re”, ka thënë Irinej.

Patriku ka kërkuar bashkim serb rreth Kosovës dhe ka porositur njëkohësisht se “Kosovën nuk duhet harruar asnjëherë”. 

E ashtuquajtura kremtja e Vidovdanit, që shënohet sot nga serbët në Gazimestan, në shenjë të përkujtimit të Betejës Mesjetare të Kosovës në vitin 1389, 23 vjet më parë shërbeu si shkas për tubimin e një numri të madh të serbëve, si dhe promovimit dhe fuqizimit politik të Sllobodan Miloshevicit, i cili më pas u bë njeriu numër një në hierarkinë politike në Serbi. (LajmeShqip.com)