Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 14:15

Prishtinë – “Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të adresuar kërcënimin që nenet po ia bëjnë lirisë së mediave, që pavarësisht kundërshtimit në masë të gjerë, mbijetuan në Kodin e ri Penal,”- kanë vlerësuar zyrtarë të Human Rights Watch.

Më 22 qershor, për herë të dytë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të heqë nga Kodi i ri Penal, nenet që kriminalizojnë shpifjen dhe i detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre, pavarësisht thirrjeve nga vetë qeveria, presidenca dhe gazetarët që ato të hiqen. Kodi aktual Penal përmban nene të njëjta.

“Dështimi i Kuvendit për të adresuar nenet problematike nënkupton se gazetarët që raportojnë mbi figurat publike ose korrupsionin rrezikojnë të trajtohen si kriminelë. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të mbrojtur lirinë e mediave dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë”,- ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore e Human Rights Watch, njoftojnë mediat.

Gall më tej thotë se varet nga Qeveria nëse e shfaq përkushtimin e saj të sinqertë për të garantuar lirinë e medieve duke shfrytëzuar procedurat e Gjykatës Kushtetuese për t’iu adresuar neneve 37 dhe 38. “Derisa kjo të mos ndodhë, masat restriktive do të vazhdojnë të kenë efekt në gazetarinë në Kosovë”, – u shpreh Gall. (LajmeShqip.com)